Home Lajme Turizmi mund t’i kthejë të ikurit në Shishtavec

Turizmi mund t’i kthejë të ikurit në Shishtavec

Në kërthizë të Gjallicës, e poshtë këmbëve të maleve e kodrinave përreth, Shishtavecin dhe fshatrat përreth i zgjojnë pelegrinazhet e kurbetqarëve dhe të ikurve të tjerë, në ato pak ditët e verës së shkurtër. Në më të shumtën e kohës, kanë mbetur vetëm pleqtë e disa dhjetra nxënës shkolle.

Kur të parët, ishin vendosur në pozicione dominuese këtu, asociuan veten e familjet e tyre, e siç ishte shkruar fati, ata bënë një jetë më të mbyllur, të imponuar nga barriera të fuqishme gjeografike e shpirtërore. Duke bërë kështu një jetë më të “pavarur”, e duke jetuar harmonikisht në bashkësi të ngushtë, këto katunde do të kishin, doket e zakonet e veta, do të manifestonin vyrtyte e veçori të karakterit që, ende i ruajnë.

Historia e popullit në këto anë, ka qenë një luftë e pandërprerë, një ndeshje jo vetëm me natyrën, por dhe me dhunën e sistemeve në kohë të ndryshme.

Fshatrat këtu janë më tepër se një tog shtëpish, e rrugicash me tre-katër kroje si vende tradicionale të miqësive femërore. Ato shfaqen si një projektim hapsinor i mardhënieve shoqërore, njëherësh strukturuar nga ndasi që, e bëjnë të dallueshme profanen nga e shenjta, punën nga zbavitja, publiken nga privatja, burrat nga gratë, familjen nga gjithçka tjetër që nuk i përket asaj. Duke i njohur këta njerëz, e kupton se ata i përshkon një frymëmarrje e ngrohtë qytetarie e patriotike.

Tridhjetë kilometra nga qyteti i Kukësit në kufirin ndarës të tre shteteve, dy prej tyre shqiptare dhe tjetrit me pothuaj gjysmën e popullësisë shqiptare, kjo zonë mbeti e mbetet rurale fatkeqësisht. Rruga e shkelur më shumë, është ajo përgjatë Grykës së Vanave, teksa mund të udhëtosh nga Kosova për të mbrrirë në pikat doganore të Shishtavecit dhe të Borjes. Lidhja me Tetovën përmes qafave të Sharrit dhe me Dibrën përmes grykës së Çajës, janë kujtime të së shkuarës.

Për të mbrritur deri në Shishtavec ke lënë pas Nimçën e famshme të uraniumit, Topojanin dhe Brekijnë e masakruar nga shovinistët serb, Kollovozin e Havzi Nelës, Shtrezën një fshat i kërcënuar nga rrëshqitjet e masiveve shkëmbore, Novosej i njohur për disidencën, ndërsa më në veri Borjen e “Vajzave të mjegullës”.

Togu i të moshuarve që mbajnë në kokë beretën karakteristike, e kuvendojnë ulur në anë të një ledhi gurësh, si dhe disa parulla të dyzet viteve më parë në fasadat e ndërtesave dykatëshe, të tregojnë se je në qendër të Shishtavecit. Kryeministra, ministra, deputetë, ambasadorë, pushtetarë lokal, misionarë të OJQ-ve, kanë xhirotuar deri këtu, vetëm në ditët kur u është dashur të përkujdesen për votën, apo për të promovuar veprimtari qëllimi i të cilave kurrë nuk është finalizuar.

Arkitektura natyrore në këtë copëz të Shqipërisë e bën të larmishme udhëpërshkrimin, teksa është e nevojshme të hidhen në letër idetë për shfrytëzimin e resurseve turistike që, ofrohen këtu.

Pozita gjeografike, kushtet klimatike, hidrografia, flora dhe fauna mjaft e pasur janë elemente mjaft të rëndësishme, që këtij rajoni me potencial të lartë turistik, i krijojnë mundësi për zhvillimin e turizmit sportiv, rural, ekoturizmit, turizmit të gjuetisë etj. Klima është tipike, me reshje të mëdha bore, me shpati të përshtatshme për zhvillimin e sporteve dimërore. Me shumë maje të larta, burime e rrjedha lumenjsh me gryka e kanione, pyje të larta dhe me një faunë të shumëllojshme që krijojnë një peizazh mjaft të bukur dhe atraktiv për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm gjatë gjithë vitit. Bjeshkët e Shishtavecit gjatë stinës së dimrit, janë shumë të përshtatshme për zhvillimin e sportit të skive.

Është i njohur klubi sportive i skive Morava i Shishtavecit i krijuar rreth vitit 1944. Sportistët e këtij klubi, që nga viti 1952 numrojnë shumë medalje kombëtare të fituara. Pista e skive të Shishtavecit ka pritur shumë garues në mbarë vendin dhe janë zhvilluar shumë kampionate lokale e kombëtate.

Infrastruktura rrugore ka penguar rritjen e investimeve dhe ka vështirësuar zhvillimin e turizmit.

Bjeshkët e Shishtavecit dhe të Kallabakut, janë shumë të përshtatshme për zhvillimin e udhëtimeve dhe erskusioneve. Gjatë periudhës së verës zhvillohen shumë udhëtime në forma të organizuara si për qëllime atraksioni ashtu dhe për nevoja kurative. Territori i bjeshkëve me biotopet e ndryshme është shumë i pasur me faunë. Kush janë destinacionet më të preferuara dhe si mund të shfrytëzohen ato?

Kanioni i Vanave

Ndryshe në gjuhën e popullit “Gryka e Vanave” është listuar, si Monument i Natyrës në Shqipëri, i mbrojtur me ligj (Ligji nr.8906, datë 6.6.2002). Si një nga thesaret e Parkut Natyror Korab-Koritnik, Kanioni i Vanave ofron një pamje befasuese e madhështore. I thellë dhe i ngushtë, i zënë në fund nga shtrati i lumit Luma, ai ndan shpatet e thikëta të Gjallicës dhe Koretnikut. Sigurisht që, zhvendosjet tektonike dhe gërryerja në thellësi e lumit, na e kanë falur për t’a shfrytëzuar këtë mrekulli.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Must Read

VIDEO-Njihuni me Kukësin e nëndheshëm, qytetin e nëntokës

Pamje ekskluzive dhe historia për atë që sot quhet Kukësi i nëndheshëm. Gazetari Bujar Muçmata dhe operatori Fatjon Rexha...

VIDEO-2 ditë drejt majës së Jezercës

Alpinistë e turistë eksplorojnë bukuritë e Valbonës. Udhëtimi përfundon me ngjitjen e majës së Jezercës...

Foto HISTORIKE-Artizanet e Bicajt

Nji foto e rrallë: Artizanet e Lumës (2 dhjetor 1963) Respekt per ato pak zonja...

Një ditë në Valbonë, mes bukurive dhe problemeve të zonës- VIDEO

Lugina e Valbonës shtrihet në qendër të Alpeve Shqiptare, në Rrethin e Tropojës. Lugina e Valbonës ka...

Eksploro Kukësin/ Një ditë në malin e Gjallicës-VIDEO

Me rastin e festës së Gjallëjçes, një grup të rinjsh kanë vendosur që ti ngjiten malit me të njëjtin...