Home Për Kukësin Arkitektura e Kukësit dhe zhvillimi i saj

Arkitektura e Kukësit dhe zhvillimi i saj

Kukësi është cilësuar si ndërthurja e 3 qyteteve: atij nënujor, nëntokësor dhe qyteti ekzistues. Arkitektura e këtij qyteti ka pësuar ndryshime të mëdha me zhvillimin e historisë.

Kukësi nënujor

Kukësi i Vjetër është mbuluar nga uji i liqenit te Fierzës dhe rrënojat e tij gjenden nën ujë. Disa karakteristika arkitekturore vërehen tek:

Banesat

Mbizotëronin banesat tip kulle. Në këto kulla janë zhvilluar kuvende dhe janë pritur patriotët dhe ushtarët nga Kosova.

Materialet e ndërtimit – Si material ndërtimi përdorej guri, çerpiçi dhe tullat. Banesat mbuloheshin me dërrasa të holla bredhi (furde) ose tjegulla. Shumica e banesave kishin oborre që rrethoheshin me mur guri ose anje që dalin nga prerja e dërrasave. Dyert e jashtme ishin dy kanatëshe mbrapa të cilave ishte vendosur zilja e dhive prej bronzi. Dyshemetë dhe tavanet ishin të shtruara me dërrasa, dyert dhe dritaret ishin të punuara me dru.

Struktura e brendshme e banesave – Shtëpitë e banimit ishin njëkatëshe me bodrume. Në një banesë tipike gjendej bodrumi që kishte tre të ndara: dy ambiente shërbenin si çeranik, një e ndarë e madhe shërbente si dhoma e gatimit dhe e ndenjes që ishte e pajisur me oxhak që shërbente edhe per gatim edhe për ngrohje. Në katin përdhe ishin veranda, koridori, dhoma e ndjenjes dhe dhoma e fjetjes. Shtëpitë kishin edhe një derë të vogël (kapeçik) për të komunikuar me komshinjtë.

Mobilimi – Mobilimi i shtëpive bëhej me mindera (stola të gjatë dërrase të mbuluar me shtresa leshi ose pambuku) që vendoseshin në tre anët e dhomës së ndenjes. Korridoret shtroheshin me rrugica, dhomat me qilima dhe dritaret zbukuroheshin me perde prej bezeje të punuara e të qëndisura me dorë. Pas viteve 50 mobilimi i shtëpive pësoi një modernizim. Të gjitha banesat filluan të mobilohen njëlloj: një bufe, dy divana e një tavolinë mesi.

Urat

Në kohën e Perandorisë Osmane u ndërtuan disa ura. Urat ishin të gurta dhe me shumë harqe. Ndër më të rëndësishmet kanë qenë “Ura e Vezirit” mbi Drinin e bashkuar, “Ura e Ndërmjetme” mbi Drinin e Bardhë, “Ura e Lumës” mbi lumin Luma.

Ura e Vezirit u ndërtua në fillim të shek.XVII nga Hydarerdi Pasha. Ajo ishte një ndër urat më të mëdha të ndërtuara në Ballkan gjatë Perandorisë Osmane. Është e ndërtuar nga 5 harqe me madhësi të ndryshme. Tre harqet e mesit janë më të mëdhenjtë e më të gjerët, ndërsa dy harqet e fundit janë ndërtuar në brigje deri në shpatin e malit. Harku i mesit kishte një lartësi prej 20m. Këmbët e urës ishin të vendosuara në shkëmbinj të fortë gabrorë. Në këmbët mbështetëse qëndronin 13 dritare me harqe në formë lundre. Kjo urë ndodhet në rrugën Shkodër-Prizren.

Ura e Ndërmjetme ndodhet midis urës së Vezirit dhe urës së Djallit (Lumës). U ndërtua në shek.XVII nga bushatllinjtë.

Ura e Lumës është ndërtuar nga Sinan Pashë Topojani, ndryshe njihet si ura e Djallit (turqisht shejtan kuprisi). Ura mbi Lumë është e lartë dhe ka dy harqe.

Kukësi i Ri

Kukësi ndahet ne tri krahina etnografike: Luma, Gora dhe Malëziu.

Obelisku i Eksodit te Kosovareve

Në Lumë dhe Gorë mbizotëronte banesa e tipit kullë me shkallë brenda. Në Malëzi mbizotëronte banesa njëkatëshe prej druri me ose pa çardak. Ka qenë e përhapur banesa me divanhane apo ballkon e shkallë jashtë. Lëndët kryesore të ndërtimit janë: guri, tulla e papjekur, druri, gëlqerja, rëra dhe balta e zakonshme. Për shtroje përdorej argjila, rrasat e gurit, kashta (Gorë, Cajë, Bushtricë), tjegulla (Lumë) furda (Malëzi, Lumë). Kati i parë përdorej për strehimin e bagëtive dhe depo, ndërsa i dyti për familjen.

Oda (dhoma) e miqve, tradicionale në Lumë dhe Malëzi, ishte vendi ku priteshin miqtë. Vendin qëndror e zinte oxhaku dhe anash tij vendi shtrohej me qilima, cerga, sixhade, jastekë e postiqe. Pjesë e odës ishte takëmi i kafesë që vendosej mbi derë ose në anë të oxhakut. Në shumë raste takëmi dhe tavanet kishin zbukurime me vlerë artistike.

Pas përmbytjes u ndërtua qyteti i ri i Kukësit. Gjatë ndërtimit të qytetit, ai u pasurua me elemente te reja arkitekturore.

Pallati i Kulturës “Hasan Prishtina” u përurua më 21 maj 1988.

Obelisku ose siç njihet ndryshe si kulla e përkujtimit të dëbimit masiv të popullatës shqiptare nga Kosova në vitin 1999. Është i vendosur rrëzë një kodre buzë liqenit të Kukësit, shumë afër me Hotel Amerika. Kulla e Eksodit në Kukës, është e ndërtuar aty ku popullata kosovare ishte strehuar në çadra masive, është e gjatë 23.5 metra.[8]

Sapo hyn në Kukës bie në sy ndërtesa e ish–Turizmit (Turizmi i Ri), një ndërtesë gjashtëkatëshe e vendosur sipër urës së Drinit të zi që lidh Kukësin me pjesën tjetër të Shqipërisë. Kjo ndërtesë konsiderohej moderne për kohën duke u bazuar në mënyrën e arredimit dhe pranisë së ashensorëve. Edhe pse një ndërtesë jofunksionale, dikur ka shërbyer si pika kryesore e turizmit në qytetin e Kukësit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Must Read

Tërmet në Kukës, epiqendra në Arrën

Lëkundje të forta tërmeti janë ndjerë pak më parë në Kukës. Siç bëhet e ditur lëkundjet kanë qenë 4.5...

Banorët e tokave të përmbytura nga liqeni i Fierzës, ultimatum qeverisë-VIDEO

Banorët e Kukësit kanë protestuar mëngjesin e djeshëm për tokat e përmbytura nga liqeni i Fierzës.

Në tunelet e Kukësit të nëntokës -FOTO

Nga Ermal Hallaçi Regjimi komunist ka lënë pas gjurmët e tij diçka të cilën e dëshmojnë edhe fotot e mëposhtme...

Këshilla gjuhësore/ Si ti shkruajmë emrat e vendeve në Kukës

Nga Izet Duraku Për të gjithë miqtë e mi të letrave nga Kukësi : gazetarë,...

Bora zbardh Kukësin, si paraqitet gjendja e rrugëve-FOTO

Gjendja e rrugëve nacionale në Qarkun Kukës është paraqitur e qetë. Të gjitha rrugët janë të kalueshme normalisht.