Fluksi veror në Morinë/ Shërbime të integruara dhe reduktim i kohës së pritjes

0
669

Në prag të nisjes së sezonit turistik, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj inspektuan pikën kufitare të Morinës ku kontrolluan nga afër masat e marra në këtë pikë, e cila ka fluksin më të lartë të lëvizjes gjatë sezonit veror.

Në fjalën e saj, pas inspektimit të kryer, ministrja Balluku tha se të gjitha strukturat shtetërore në pikën kufitare të Morinës janë të angazhuara për të ofruar një shërbim me cilësi sa më të lartë për të gjithë udhëtarët. Balluku e vuri theksin tek rëndësia e ofrimit të një shërbimi të integruar në këtë pikë kufitare në mënyrë që të ulet koha e pritjes së qytetarëve që duan të kalojnë kufirin.

“Pika kufitare e Morinës është një pikë shumë e rëndësishme duke qenë se është pika që përpunon numrin më të madh të vizitorëve gjatë vitit dhe të gjitha strukturat shtetërore kanë një fokus dhe janë të përqendruara për të ofruar shërbime sa më të mira. Shërbimet e integruara janë ato, të cilat ne synojmë, pasi zvogëlojnë kohën e pritjes dhe ofrohen në mënyrën më cilësore dhe me standarde më të larta”, u shpreh Balluku.
Ministrja nënvizoi se në qarkun e Kukësit fokusi i Ministrisë që drejton është infrastruktura ku bëri të ditur se në fund të muajit qershor pritet të përfundojnë edhe punimet që po vijojnë përgjatë rrugës Kukës-Morinë, për të qenë gati për të përballuar fluksin e lartë të automjeteve që ka në këtë aks rrugor gjatë sezonit veror.

“Fokusi kryesor në zonën e Kukësit është infrastruktura. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë po investon në aksin Kukës-Morinë dhe shpresojmë që shumë shpejt, brenda fundit të muajit qershor, të gjitha punimet e nisura të përfundojnë për të qenë gati dhe për sezonin dhe për ngarkesën e trafikut që kjo rrugë ka”, deklaroi Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë u ndal edhe tek investimi që po bëhet për aeroportin e Kukësit ku punimet kanë nisur me zgjerimin e pistës dhe siguroi se gjithçka do të jetë gati brenda afateve të parashikuara.

Nga ana e tij, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj kërkoi nga autoritetet që të shtohen masat në drejtim të pritjes dhe menaxhimit sa më të mirë të fluksit të turistëve, duke e vënë theksin tek shtimi i masave që tradicionalisht janë ndërmarrë për patrullimin e përbashkët, për kontrollin e përbashkët e çështje të tjera.

“Do të marrim masa në bashkëpunim edhe me autoritetet e Kosovës që ta kompensojmë me masa të shtuara sigurie këtë liri të lëvizjes, që po rritet përditë e më shumë. Duke qenë se jemi edhe në prag të sezonit turistik, unë gjej rastin të kërkoj nga autoritetet dhe t’i inkurajoj ato, për të shtuar masat në drejtim të pritjes dhe menaxhimit sa më të mirë të fluksit të turistëve, me qëllim që ai të rrjedhë i lirshëm por edhe i sigurt. Të shtohet ato masa që tradicionalisht janë ndërmarrë për patrullimin e përbashkët, për kontrollin e përbashkët e çështje të tjera”, tha Lleshaj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here