‘Guri i mëngjesit’ aty ku natyra të thotë mirëmëngjes/ VIDEO-FOTO

0
1190

Të të thuhet ‘Mirëmëngjesi’ është një ndjenjë e veçantë, po të përshëndetesh nga ‘Guri i Mëngjesit’, kjo është diçka tjetër.

‘Guri i Mëngjesit’ ose ‘Murga’ është ai që uron Shishtavecin çdo mëngjes e që banorët thonë se e ka marrë këtë emër, se aty bien për herë të parë rrezet e diellit në mëngjes.

Nuk ka si të ndodhë ndryshe, pasi guri ndodhet 1900 m mbi nivelin e detit dhe është gur ranor paleozoik me një formë shumë të veçantë, ajo e një koni.

Vlerat e tij janë si shkencore, didaktike, ekologjike ashtu edhe kulturore.

Ndonëse ndodhet në jug të Shishtavecit, guri quhet i mëngjesit. Banorët e hershëm të Gradishtës, duhet ta kenë pagëzuar më shumë se 1500 vjet më parë, për arsyen se ky gur, ka qenë një vendqëndrim orientues që mendohet se ka lidhur qytetërimet e hershme të ngulitura në kërthizën e vargmaleve të Sharrit.

Duhet të ketë qenë vendi, ku banorët e hershëm të këtyre anëve, mblidheshin me kuajt e tyre, për të marrë rrugën drejt Shkupit ose Tetovës.

Është intrigues dhe fakti që, ky gur nga një pjesë e vendasve thirret ‘Murga’ që do të thotë se në këtë pllajë nën këmbët e gurit, janë zhvilluar festa masive nga blegtorët e hershëm.

Vetëm disa metra në lindje të këtij guri, ndodhet kufiri shtetëror me ish-Jugosllavinë, i cili sot është thjeshtë një kufi normal mes dy shteteve shqiptare.

Ky vend është shumë i preferuar si nga vendasit ashtu edhe nga turistët, pavarësisht faktit se rruga që të çon aty, nuk është shumë e mirë, megjithatë vlerësohet për të shkruarën historike, për peizazhet magjike të jug-perëndimit të vargmaleve të Sharrit, për burimet e ujërave të akullta, për shumëllojshmërinë e bimëve dhe luleve e për pistat ku ushtrohet sporti i skive.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here