Krahina e Lumës, nga vjen emri dhe cila është shtrirja e saj /Foto

0
1924

Luma është një krahinë që shtrihet në verilindje të Shqipërisë në territorin e rrethit të Kukësit. Një pjesë e Lumës shtrihet gjithashtu edhe në Kosovë.

Nga vjen emri Lumë

Në dokumente është pikasur, së pari, në fund të shek.XVI (1571 -1591), si nahije e Sanxhakut të Dukagjinit. Në shekullin e XVII e përmend Frang Bardhi si cakun më lindor të dioçezës katolike të Sapës (Zadrimës). Ndërsa Hahn ka shënuar i pari versionin se Krahina e Lumës e ka marrë emrin nga Përroi i Lumës. “Lugina e këtij përroi, – ka shënuar ai, – përbën pjesën kryesore të të gjithë këtij territori, gjë që për mendimin tonë, i gjithë ky rreth e ka marrë emrin prej tij, pra prej luginës…”.

Kështu, emri i krahinës së Lumës është i lidhur me apelativin lumë (lum-i, lum-a) dhe ky vjen prej lat. Flumen (G. Meyer); Eqrem Çabej ka shënuar se “Tipi Lumë që emërton një krahinë gjeo-etnografike është një krijim vendës nga “lumë” (emër) dhe ky nga apelitivi latin “flumen” (G. Meyer), ose një formë e ndikuar prej shumësit, si një shumës i singularizuar, i lym”.

Vendosja dhe pozita gjeografike

Kufizohet në veri me Përroin e Poslishtit; në Jug me Përroin e Veleshicës, Drinin e Zi, Qafën e Drajës e Përroin e Mallës; në Lindje kufiri shkon nga maja e Koritnikut, në Kallabak, në malin e Sarakolit e në Korab; në Perëndim Luma shkon deri në Malin e Zepës, Qafën e Komit, Truellin e Surrojt, Përroin e Kalimashit; në VeriPerëndim, Luma kufizohet me Drinin e Bashkuar (sot me Liqeni i Fierzës).

Në Kosovë, Luma përmban 4 fshatra të komunës së Prizrenit dhe janë: Muradem, Shkozë, Vërmicë dhe Zhur.

Kush janë Bajraqet e Lumës

Luma ka 7 bajraqe dhe këto janë: Bajraku i Rrafshës (Bicaj)

Bajraku i Tejdrines (Domaj)

Bajraku i Qafës (Bushtricë)

Bajraku i Kalisit (Zallë)

Bajraku i Radomirës (Tejs)

Bajraku i Çajës (Fshat)

Bajraku i Topojanit (Topojan, Brekijë).

Nisur nga sipërfaqja dhe numri i banorëve, por dhe nga pozita gjeografike Bajraku kryesor i Lumës ka qenë dhe mbetet Bajraku i Rrafshës së Lumës me qendër në Bicaj, vend ku bëheshin Mbledhjet e ‘Kuvendit të Dheut’. Për nder të Sinan Pashës si njeriu me arritjen më të madhe hierarkike në Perandorinë Osmane ndër lumjanët, Bajraku i Topojanit iu dha vend nderi në mbledhjen e Kuvendit të Dheut dhe iu dha epiteti ‘Bajraku i parë’.

Feja e banorëve të Lumës

E gjithë popullsia e kësaj krahine është e besimit islam, e ndarë në dy sekte: Mysliman Suni dhe Bektashi. Kryegjyshi i Kryegjyshatës Boterore te Bektashinjve, Reshat Bardhi është pikërisht nga kjo krahinë. Ai ka lindur në fshatin Lusën të Lumës. Më përpara popullsia e kësaj krahine ka qenë katolike, por pushtimi osman solli islamizimin e popullsisë. Të fundit që u islamizuan ishin fshatrat e Tejdrines (Surroj, Arrën, Ujmisht). Gjithashtu kanë mbetur edhe gjurmë të paganizmit: edhe sot e kësaj dite banorët e kësaj krahine ngjiten në majë të Gjallicës për të nderuar hyjninë e malit. I përhapur është edhe besimi tek teqetë si në Shtiqën, Nangë, Bicaj, Kolesjan, Fshat, Çajë, Gjegjën, Vasije, Ceren dhe tek vendet e shenjta si Buzmadhe, Mustafaj, Osmanaj.

Rrugët e lashta dhe urat në Lumë

Nëpër Luginën e Drinave kanë kaluar, në lashtësi, rrugë të rëndësishme: Transversalja e Veriut që lidhte bregdetin e Adriatikut me Ballkanin e mesëm. Ajo ndahej në dy degë dhe njëra degë e kësaj rruge ndalej në vendin ku do të ndërtohej më vonë ‘Ura e Vezirit’, vijonte nga jugu në Qafë të Kumbullës e në Fan, ose nëpër Surroj dilte në Arrën e prej këndej në Lurë ose në Orosh. Te Kulla e lumës, një degë e kësaj rruge, nëpër Grykë të Vanave vijonte nga lindja për në Maqedoni. Urat më të rëndësishme kanë qenë: Ura e Vezirit, Ura e Ndërmjetme. E para mbi Drin dhe e dyta mbi Drin të Bardhë. Kanë qenë ura të gurta, me pamje madhështore, me shumë harqe. Ura e Vezirit ka qenë ndër më të mëdhatë në Perandorinë Osmane. Të dyja këto ura kanë qenë ndërtuar nga Veziri i Shkodrës, në fund të shekullit të 18. Edhe Ura e Lumës (te Kulla e Lumës) ka qenë e gurtë, por është ndërtuar më vonë se dy të parat dhe është më e vogël.

Luma në ngjarjet historike

Burra trima nga Luma kanë marrë pjesë në shumë ngjarje historike të kombit shqiptar:

Kuvendi i Dugagjinit (1601 -1602) ku kanë marrë pjesë edhe Andrea Kolshi (nga Kolshi) dhe Teta Kuka (nga familja e shquar Kuka e Kukësit dhe Prizrenit);

Lidhja e Prizrenit ku mori pjesë Shaban Age Luma;

Kryengritjet e viteve 1884 -1885;

Kryengritjet e viteve 1900-1912;

Kuvendi i Bujanit;

Lufta antifashiste;

Pritja e shqiptareve të dëbuar nga Kosova

Gjatë viteve 1912-1913 në Lumë erdhën forca të shumta serbe. Populli lumjan u organizua dhe luftoi me trimëri të pashoqe kundër pushtuesve. Llogaritet se afro 12000 ushtarë serbë u vranë nga forcat lumjane ose vdiqën nga kushtet e vështira klimaterike. Qyteti i Kukësit është i pari qytet në histori i kandiduar për çmimin ‘Nobel për Paqen’, për pritjen që ju bëri shqiptarëve të dëbuar nga Kosova gjatë vitit 1999.

Figura te shquara lumjane

Mahmut Dac Kalisi (1817 – 1866)

Lindi në vitin 1793 në fshatin Kalis të Kukësit. Ai ishte njëri ndër luftëtarët më të dalluar në luftën kundër pushtuesit osman në Shqipërinë e Veriut gjatë shekullit 19. Pas luftimesh të ashpra me forcat osmane, ata arritën ta kapnin në Sllovë të Peshkopisë në vitin 1870 dhe ia prenë kokën. Koka e tij u çua si trofe në Stamboll. Është shpallur ‘Dëshmor i Atdheut’.

Islam Spahia (1838-1928)

Udhëheqës i njohur nga Kolesjani në përpjekjet për liri, pavarësi e demokraci. U priu malësorëve të Lumës në luftimet kundër gjeneralëve turq: Shemsi Pasha (1903-4, 1906), Xhavit Pasha (1909), Shefqet Dërgu Pasha (1910), si dhe kundër agresorëve serbë në nëntor 1912. Ndihmoi për hapjen e shkollës së parë shqipe nga i biri (Riza Spahia) në Kolesjan me 1911. U vu në krye të lëvizjes për demokratizimin e vendit në krahinën e Lumës në vitet 1920 – 1924.

Ramadan Zaskoci (1860 -1914)

Burrë trim nga Mamzi, i dalluar në lëvizjen antiosmane e antiserbe në vitet 1876-1914, mori pjesë në lëvizjen kundër Mehmet Ali pashë Maxharrit në Prizren e Gjakovë (1878) dhe në mbrojtjen e tokave shqiptare nga shovenistët malazezë (1879) si dhe në luftimet kundër ushtrive osmane (1881), por sidomos në krye të malësorëve lumjanë, bashkë me krerë të tjerë, në luftimet kundër forcave osmane që hynë në Lumë në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit të 20 (1903 -1904, 1909, 1910) dhe atyre serbe në nëntor 1912. Qe ndër udhëheqësit e kryengritjes së shtatorit 1913 kundër pushtuesve serbë.

Ramadan Çejku (1840-1951)

Nga Lusna, i dalluar në lëvizjen antiosmane dhe antiserbe në vitet 1876-1914. Mori pjesë në lëvizjen e krijuar në Prizren ndaj Mehmet Ali Pashës dhe në Gjakovë në vitin 1989. Dallohet për vlerat patriotike ndaj kombit shqiptar, ku së bashku me Islam Spahin dhe Ramadan Zaskocin drejtuan betejën midis Lumës dhe Serbisë në Qafën e Kolosjanit, ku la Serbia në Lumë 12 mijë ushtarë. Ka qenë një ndër trimat më të zgjuar të zonës së Kukësit, i dalluar ndër 7 bajrakë. Ishte ndër udhëheqësit e kryengritjes së shtatorit 1913 kundër pushtuesve serbe së bashku me trimat lumjanë dhe trimave dibranë. Vdiq në vendlindjen e tij në Lusën, si një ndër trimat më të mëdhenj që dha kontributin e tij për trevat shqiptare në veri.

Muharrem Bajraktari (1886 -1989)

U lind në Domaj me 1 maj 1886. Shkollën fillore e kreu në Kolesjan në gjuhën turke. Në vitet 1917 -1918 vazhdoi studimet ushtarake në Vjenë (Austri). Është bashkorganizues i kuvendit antiserb në Shtiqën (1 Mars 1920). Më 1921 emërohet oficer xhandarmërie në Krumë. Para dhe gjatë Kryengritjes së qershorit mbrojti institucionet e shtetit. Pas kësaj kryengritjeje u largua në Jugosllavi dhe po në dhjetor 1924 kthehet në atdhe. Qe anëtar i gjyqit ushtarak në Shkodër, komandant zone në Peshkopi, komandant i xhandarmërisë, adjutant i mbretit Zog. Në vitin 1934 largohet në Jugosllavi, më pas në Francë, ku mori pjesë në organizatën “Bashkimi kombëtar”. Në shtator 1939 kthehet në Shqipëri dhe i kundërvihet regjimit fashist, pastaj edhe atij komunist. Luftoi kundër forcave gjermane në vitin 1944. Sipas E. Durham “Në Verilindje udhëheqësi më i shquar është Muharrem Bajraktari, ish-komandant xhandarmërie”. Në shtator 1946 u arratis në Greqi. Qëndroi në Greqi, Itali e Belgjikë duke propaganduar kundër regjimit komunist. Mori pjesë edhe në Komitetin “Shqipëria e lirë”. Vdiq në Belgjikë më 21 janar 1989.

Figura të tjera

Bislim Elez Kërnjani (1831 -1906), Sulë Elezi (1836-1954), Mustafë Lita (1848 -1912), Hoxhë Mehmeti (1862 -1927), Qazim Lika (1869 -1915), Osman Lita (1875-1946), Sali Spahia (1878-1917), Xhafer Bislimi (1884 – 1944), Ahmet Qehaja (1952 -1913), Kadri Shahini (1878 -1913), Cen Daci, Merë Sufa, etj.

Në Lumë kanë qenë edhe shtetarët e shquar: Sinan Pashë Topojani (1506-1596), pesë herë kryeministër i Perandorisë Osmane, Ferat Pashë Topojani (shek.16), dy herë kryeministër në Perandorinë Osmane, Sinan Pashë Vila (? -1615), Mahmut Pashë Rrotulla (? – 1836), Seladin Shkoza (nga Shkoza), ish-ministër i mbrojtjes, 1921.

Maliq Koka nga Shkinaku Gryke Çaje patritriot dhe atdhetare i shquar.

Havzi Nela (1934 -1988)

Mësues, poet, misionar i fjalës së lirë dhe reagues kundër diktaturës komuniste; është i fundit i ekzekutuar politikisht (me varje) në krejt vendet ish-komuniste.

Fotot janë marrë në Facebook dhe Google

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here