Zyrtarë të Bankës Botërore interes për tunelin e nëndheshëm në Kukës

0
57

Përfaqësues të lartë të Bankës Botërore kanë shfaqur interes për qytetin e nëndheshëm të Kukësit pas reportazhit të transmetuar një muaj më parë në Abc News. Banka Botërore e sheh vend-strehimin nëntokësor si një potencial për zhvillimin e turizmit.

Në Kukës mbërritën përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare. Qyteti i nëndheshëm ka ngjallur interes tek zyrtarët e Bankës Botërore.

Një histori e panjohur më parë prej tyre, por pas vizitës në tunel e shohin si një potencial për zhvillimin e turizmit.

‘Kukësi është një qytet i bukur me potenciale për zhvillim e turizmit dhe bujqësisë. Tuneli ishte shumë interesant dhe përmes tij mund të zhvillohet turizmi.

Ne jemi të interesuar për zhvillimin e turizmit dhe infrastrukturës. Inkurajoj banorët që të jenë kreativ dhe të punojnë sëbashku dhe të mendojnë për zhvillimin e rajonit’.

‘Jam i interesuar për historinë në Shqipëri, pjesë e historisë së botës. Nuk e dija që në Kukës kishte një tunel nëntokësor. Personalisht mendoj se ky tunel mund të shërbejë shumë mirë për zhvillimin e turizmit në të ardhmen.’

Zyrtarët e lartë të Bankës Botërore në Uashington u takuan edhe me Kryetarin e Bashkisë Kukës Safet Gjicin dhe banorë të fshatit Shtiqën ku u diskutua për projekte të përbashkëta në fushën e turizmit dhe infrastrukturës rurale.

Kujtojmë se një vlerësim i fundit i Bankës Botërore për zhvillimin e rajoneve në Ballkanin Perëndimor  e renditi Kukësin në mesin e rajoneve më të varfra në Ballkan./ABCnews