24 orë në Kukës/ Ja çfarë mund të bëni-FOTO

0
328

Nëse jeni në kërkim të peizazheve natyrore, ajrit të pastër, si edhe gatimeve karakteristike, Kukësi është vendi ideal i një serie eksperiencash.

Kukës. Foto nga IntoAlbania.

Më poshtë do të gjeni disa sugjerime se si të kaloni 24 orë në Kukës!

Pasi keni konsumuar kafen e mëngjesit tek ‘Plaza Bar,’ në një nga lokalet më bashkëkohore, ju sugjerojmë të vizitoni Muzeun Etnografik dhe Kullën e Memories.

Muzeun Etnografik dhe Kulla e Memories, Kukës. Foto nga IntoAlbania

Të pozicionuara në qendër të qytetit, ju do të merrni një informacion të gjërë mbi historinë, biodiversitetin dhe etnografinë e zonës, të cilat pasqyrojnë ekzistencën e banorëve të kësaj zone që në lashtësi.

Guri i Mëngjesit, Kukës. Burimi: Ermal Hallaçi

Mesdita

Pasi të mbaroni vizitën në muze, mund të organizoheni për soditjen e natyrës që do t’ju lëri me gojë hapur. Rreth 40 minuta larg qytetit ndodhet Shishtaveci, një destinacion ideal për të eksploruar zonën. Nëse jeni të apasionuar pas hinking, ju sugjerojmë Gurin e Mëngjesit, i cili ndodhet rreth 1900 m mbi nivelin e detit dhe është një ngjitje relativisht e lehtë. Konsiderohet si më i bukuri në zonën e Kukësit, për burimet e shumta ujore, si dhe për peizazhet mahnitëse.

Drekë

Dreka mbetet gjithmonë një zgjedhje e mirë për t’u shijuar në bujtinat që ndodhen në afërsi të Shishtavecit. Shtëpitë tradicionale të kthyera në ambiente të ngrohta, mikpritëse dhe familjare, ju ofrojnë një ushqim bio me produktet e freskëta malore. Një ndër rekomandimet do të ishte ‘Ski club Shishtavec,’ përveç gatimeve tradicionale të zonës, si flinë e Kukësit, çorbën me oriz e kos etj, në stinën e dimrit ky ambient iu ofron edhe mjetet e përshtatshme për të bërë ski.

Shishtaveci, Kukës. Burimi: Ski Club Shishtavec


Flija kuksiane. Burimi: AgroWeb

Pasdreke

Orët e pasdites mund të jenë idealet për të vizituar liqenin e Fierzës, baseni i të cilit furnizohet nga rrjedha e dy lumenjve Drini i Bardhë dhe Drini i Zi. I krijuar nga ndërtimi i hidrocentralit të Fierzës, liqeni rrethon qytetin në tre anët e tij duke i shtuar më shumë bukuri zonës. Një vizitë e liqenit në këtë orë mund të jetë shumë qetësuese.

Liqeni i Fierzës, Kukës. Foto nga IntoAlbania

Darkë

Orët e mbrëmjes mund të zgjidhni t’i kaloni në restorantet afër qendrës si, Oda Kuksiane apo Kulla e Lumës, ku mund të shijoni mishin apo dhe peshkun e freskët, si edhe patatet e kukësit, karakteristike të kësaj zone.

Sugjerime: Ndër sugjerime të tjera ju rekomandojmë kënetën e Kashtës, e cila është kthyer në një nga atraksionet më të preferuara. Baseni i kënetës ofron një pamje të mrekullueshme për të gjithë të apasionuarit e shpendëve ujorë. Si edhe Mali i Gjallicës, i konsideruar si ballkoni i Shqipërisë, po tërheq gjithnjë e më shumë turistë shqiptarë dhe të huaj.

/Intoalbania.com